Ambasada e SHBA-ve: Jemi të shokuar nga vendimi i gjykatës
07 / 02 / 2013, 17:52

Ambasada e quanë tronditës vendimin e gjykatës.
Pas vendimit të gjykatës për të akuzuarit e 21 janarit që shpalli të pafajshëm të akuzuarit ka bërë që menjëherë të reagoi Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
“Jemi të tronditur nga vendimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë për të shpallur të pafajshëm dy të pandehur që u gjykuan për akuza në lidhje me vdekjen e tre protestuesve më 21 janar 2011. Menjëherë pas 21 janarit 2011, Shtetet e Bashkuara, si një mike dhe mbështetëse e popullit shqiptar, iu përgjigjën një kërkese urgjente të Qeverisë së Shqipërisë dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për asistencë në hetimin e vrasjeve. Shtetet e Bashkuara dhanë ndihmë të shumëanshme, përfshirë ekspertizë nga Laboratori Kriminalistik i Byrosë Federale të Investigimit, një nga më të mirët në botë.
Përgjatë gjykimit të çështjes, Shtetet e Bashkuara kanë bërë vazhdimisht dhe në mënyrë konsekuente thirrje për një hetim dhe proces gjyqësor tërësor, gjithëpërfshirës dhe objektiv. Fatkeqësisht, verdikti i sotëm ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente,” thuhet në deklaratën e ambasadës.





